Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta nuk ka ndërmend të shesë Thomas Partey në afatin kalimtar të janarit, pavarësisht raportimeve të fundit se ganezi do të largohet nga “Emirates”.
Këtë sezon Arteta ka përdorur Declan Rice, Martin Odegaard dhe Kai Havertz si tre të preferuarit e mesfushës së tij në sistemin 4-3-3.
Partey, i cili ka startuar në 28 ndeshje në Ligën Premier teksa “Topçinjtë” përfunduan si nënkampion sezonin e kaluar, ka startuar në vetëm tre nga dhjetë ndeshje në sezonin aktual duke u aktivizuar në dy pozita: në atë të mbrojtësit të djathtë dhe në mesfushë.
Duke marrë parasysh se Arsenali luan në disa kompeticione, Arteta e sheh të arsyeshme që ganezi të mbetet pjesë e ekipit, në mënyrë që të jetë një opsion shtesë për të gjatë rotacioneve.
Arteta ka treguar një seri të pamëshirshme në muajt e fundit, duke lejuar Granit Xhakën të largohej te Bayer Leverkusen për 15 milionë euro dhe duke zbritur në stol portierin startues të sezonit të kaluar Aaron Ramsdale në favor të David Raya, i cili erdhi në huazim nga Brentford.
“Pavarësisht thashethemeve të fundit që thonë se Thomas Partey mund të largohet në afatin kalimtar të janarit, Mikel Arteta nuk ka ndërmend ta shesë atë”, ka thënë gazetari Steve Kay.
“Është përfolur gjithashtu se Partey është i pakënaqur me mungesën e kohës së lojës. Kjo, më është thënë, është gjithashtu e pavërtetë. Megjithatë, nuk ka plane për t’u ulur dhe për të folur për një marrëveshje të re, kështu që vera mund të jetë ndryshe në lidhje me largimin e tij”, përfundoi ai.
Juventusi ishte i lidhur me një lëvizje për reprezentuesin ganez verën e kaluar dhe interesimi i tyre mund të intensifikohet tani që Paul Pogba do të përballet me një dënim për shkak të dopingut./Telegrafi/