Mike Tyson e ka hequr bluzën gjatë një emisioni televiziv për të treguar humbjen e madhe në peshë dhe u ka thënë shikuesve: “Jam bukur”.
Mbreti i dikurshëm në kategorinë e peshave të rënda ka humbur afro 45 kilogramë para duelit rikthyes kundër Roy Jones Jr që zhvillohet fundjavën që vjen.
54-vjeçari ka marrë pjesë në emisionin Good Morning America dhe nuk ka hezituar ta heqë fanellën për të treguar suksesin e arritur.
Nikoqiri TJ Holmes e ka pyetur ‘Iron Mike’ se sa e vështirë ka qenë stërvitja dhe si ia ka dalë që të humbë aq shumë peshë.
“Ka qenë shumë vështirë, por vetëm për një arsye të veçantë – më është dashur të humb 45 kilogramë. Por, veç kësaj gjithçka tjetër e kam bërë edhe më herët gjatë karrierës sime”.
“U bëra vegan. Gruaja ime më tha që të hipja në një makinë vrapimi. Prandaj e fillova me 15 minuta në të dhe më vonë i bëja nga dy orë”.
“Vazhdova të shkoja në palestër dhe e zbatoja dietën time, ashtu që jam bukur”, ka thënë Tyson. /Telegrafi/