Site icon Telegrafi

Mike Pompeo thotë se Amerika do të jetë më pak e sigurt nëse kthehet në ‘marrëveshjen e çoroditur’ me Iranin

Mike Pompeo, ish sekretari i shtetit i SHBA-së, tha të dielën se Amerika do të jetë “më pak e sigurt” nëse i bashkohet marrëveshjes bërthamore “të çoroditur” me Iranin.

“Nëse kjo administratë kthehet në marrëveshjen e çoroditur që patëm me Iranin kur presidenti Obama ishte në detyrë, Amerika do të jetë më pak e sigurt”, shpjegoi ai gjatë një interviste me drejtuesin e emisionit në radio John Catsimatidis në WABC 770.

“Izraeli do të jetë më pak i sigurt. Lindja e Mesme do të jetë më pak e sigurt. Dhe i gjithë rajoni do të jetë më pak i qëndrueshëm”, ka shtuar Pompeo, shkruan Newsweek, përcjell Telegrafi.

Veç kësaj, Pompeo mbrojti punën që administrata e ish-presidentit Donald Trump bëri me Iranin, duke thënë se nën Trump, SHBA-të bënë përparim me kombin e Lindjes së Mesme.

Sidoqoftë, ai gjithashtu vuri në dukje se administrata e Trump nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje që do të parandalonte Iranin të ketë një armë bërthamore.

“Iranianët e kuptojnë forcën. Ata e kuptojnë fuqinë. Ata e kuptojnë vendosmërinë. Ne e demonstruam atë. Dhe kur e bëmë, iranianët u tërhoqën”, tha Pompeo.

Ndryshe, Donald Trump u largua nga marrëveshja bërthamore e Iranit, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), në maj të vitit 2018.

Ish presidenti më pas miratoi sanksione mbi vendin e Lindjes së Mesme që ishin hequr më parë sipas marrëveshjes.

Trump paralajmëroi gjithashtu aleatët se ata mund të përballen me kufizime të ngjashme nëse ndihmojnë Iranin. /Telegrafi/

Exit mobile version