Promovimi në elitën e futbollit të Kosovës i ka shërbyer qytetit të Malishevës, pasi që tifozë të shumtë po i ndjekin ndeshjet e skuadrës së tyre të zemrës.
Gjatë ditës së diel, në stadiumin “Liman Gegaj”, kjo skuadër luajti përballë Ballkanit dhe takimi u mbyll pa gola.
Ishte një duel ndërmjet dy ekipeve të para në tabelën e BKT Superligës së Kosovës në futboll, pasi ekipi nga Suhareka është lider me një pikë më shumë se Malisheva kur ka përfunduar java e gjashtë.
Ajo që ka rënë në sy ishte entuziazmi i madh i atyre që e mbështetën ekipin vendas, të cilët thuhet se ishin rreth 2.500 në numër.
Në faqen e klubit të Facebook janë publikuar disa fotografi nga mbështetja e madhe e tifozëve të Malishevës të njohur si ‘Tornado’. /Telegrafi/