Telegrafi

Përfundon protesta e serbëve në veri (Foto)

E plotësuar: Ka përfunduar qetë dhe pa incidente protesta e serbëve në veri.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Besim Hoti në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se protesta e qytetarëve serbë ka përfunduar pa incidente.

“Është kryer protesta në mënyrë të qetë dhe pa incidente”, ka thënë Hoti.

 

Me mijëra serbë në veri protestojnë kundër taksës

Me mijëra qytetarë serbë janë duke protestuar në veri të Mitrovicës, saktësisht para Gjykatës Themelore kundër taksës së vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Siç raporton Telegrafi, numër i madh i serbëve i është përgjigjur kësaj proteste.

Deri më tani, nga Policia e Kosovës nuk është raportuar ende për ndonjë incident.

Ndryshe, gjatë orëve të paradites, katër kryetarët e komunave me shumicë serbe, të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre.

Ndërkaq, pas deklarimeve të zyrtarëve serbë se do të ndërpresin komunikimet me institucionet e Kosovës, gjegjësisht se institucionet e Kosovës nuk vlejnë në veri të Kosovës, është deklaruar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqyri Syla.

Ai ka thënë se Prokurori i Shtetit është duke zhvilluar aktivitet normal në pjesën veriore.

“Prokuroria po funksionon si çdo ditë tjetër, si serbët dhe shqiptarët. Nuk kemi informacion tjetër zyrtar”, ka thënë Syla për Telegrafin. /Telegrafi/

Foto: Arkiv