Mijëra njerëz protestuan të shtunën në Paris si dhe në qytete të tjera franceze, kundër një leje të detyrueshme shëndetësore të coronavirusit për hyrje në një sërë vendesh publike, të prezantuar nga qeveria derisa lufton me valën e katër të infeksioneve.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, një zëdhënës i policisë ka deklaruar se protestuesit kanë lënduar tre policë në kryeqytetin francez. Ndërkohë, ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka thënë në Twitter se 19 protestues janë arrestuar, përfshirë 10 në Paris.
Kjo ishte fundjava e tretë radhazi që njerëzit kundërshtuan masat e reja të COVID-19 të presidentit Emmanuel Macron, një shfaqje e pazakontë e vendosmërisë në një kohë të vitit kur shumë njerëz janë të fokusuar në pushimin e tyre vjetor.
Numri i protestuesve është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga fillimi i protestave, duke i bërë jehonë lëvizjes “jelekët e verdhë”, që filloi në fund të vitit 2018 kundër taksave të karburantit dhe kostos së jetesës.
Një zyrtar i ministrisë së Brendshme tha se 204 mijë kishin protestuar në të gjithë Francën, vetëm në Paris protestuan 14 mijë njerëz; rreth 40 mijë persona më shumë se javën e kaluar.
Personave që frekuentojnë muzetë, kinematë ose pishinat iu është ndaluar veçse hyrja, në rast se nuk paraqesin pasaportën e shëndetit duke treguar se janë vaksinuar; ose që kanë rezultuar negativ së fundmi nga virusi.
Parlamenti miratoi një ligj të ri këtë javë që do t’i bëjë vaksinimet të detyrueshme për punonjësit e shëndetësisë dhe të shtrijë kërkesën për pasaportën shëndetësore në bare, restorante, shfaqje tregtare, trena dhe spitale. /Telegrafi/