Site icon Telegrafi

Mijëra përcjellës i dhënë lamtumirën e fundit George Floyd të vendosur në një arkivol të artë, para se të dërgohet për në banesën e fundit në Teksas

Pas një ceremonie solemne në një kishë të Karolinës së Veriut, mijëra njerëz u mblodhën që ta përcillnin trupin e pa jetë të George Floyd, të vendosur në një arkivol të artë.

Burrin me ngjyrë që u mbyt në mënyrë mizore nga një polic në Minnesota të Shteteve të Bashkuara, që ia kishte vënë gjurin në qafë derisa po e arrestonte, e nisën për ta varrosur në Houston të Teksasit, afër nënës së tij Larcenia Floyd, transmeton Telegrafi.

“Ai e kërkoi nënën e tij, derisa polici Derek Chauvin ia kishte vendosur këmbën në fyt për nëntë minuta, duke ia bllokuar frymëmarrjen”, është thënë në ceremoninë e përkujtimit.

Familjarët dhe miqtë që e përkujtuan atë, kërkuan që të “mos ketë më fjalime”, por të bëhen reforma në mbrojtje nga dhuna policore.

“Të mos vazhdojmë me fjalime dhe të mos harrohet jeta e George Floyd, pasi ai u sakrifikua që të kemi jetë më të dinjitetshme”, është thënë mes tjerash në ceremoni.

Afro 40 mijë njerëz kanë marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit në vendlindjen e tij në Karolinën e Veriut, derisa nën masa të mëdha sigurie në Teksas, do të bëhet edhe varrimi i tij. /Telegrafi/

Exit mobile version