Site icon Telegrafi

Mijëra njerëz protestojnë në Poloni, kërkojnë që vendi të mbetet në BE

Mijëra njerëz në të gjithë Poloninë demonstruan kundër një vendimi të diskutueshëm nga Gjykata Kushtetuese dhe që vendi i tyre të mbetet në Bashkimin Evropian.

Në Varshavë, demonstruesit valëvitën flamujt polakë dhe të BE-së, duke bërtitur “Ne qëndrojmë” dhe “Ne jemi Evropa!”.

Ka pasur gjithashtu protesta në Danzig, Poznan, Szczecin, Krakow dhe shumë qytete të tjera.

Gjykata Kushtetuese e vendit kohët e fundit vendosi që elementë të caktuar të ligjit të BE-së shkelin Kushtetutën polake. Kështu, ajo i jep përparësi të drejtës kombëtare mbi të drejtën e BE-së.

Ky vendim nxit më tej konfliktin midis Komisionit Evropian dhe Varshavës mbi reformën e sistemit gjyqësor polak, përcjell Telegrafi.

Ish-presidenti i Këshillit Evropian dhe lideri polak i opozitës Donald Tusk bënë thirrje për protesta.

Gjatë paraqitjes së tij para demonstruesve, ai akuzoi partinë konservatore në pushtet PiS se donte ta çonte vendin jashtë BE.

“Vendi i Polonisë është në Evropë”, u tha Tusk protestuesve në Varshavë. “Ne do të fitojmë sepse jemi shumica”.

Ndërkohë në Danzig, laureati i Çmimit Nobel për Paqe dhe ish-presidenti polak Lech Walesa iu drejtua demonstruesve.

“Njerëzit që drejtojnë shtetin sot janë një fatkeqësi e madhe për Poloninë”, tha Walesa. “Asnjë armik që ka qeverisur ndonjëherë Poloninë nuk i ka ndarë njerëzit e vendit si PiS”, shtoi ai.

Komisioni Evropian tashmë ka hapur disa procedura për shkelje kundër Varshavës për shkak të reformave dhe ka ngritur padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version