Mijëra qytetarë janë rreshtuar në të gjithë shtetin rus edhe pse po mbretërojnë temperatura tejet të ulëta për të nënshkruar peticionin në mbështetje të kundër kandidatit të Vladimir Putinit.
Boris Nadezhdin është kthyer në një problem për Kremlinin pasi ai kërkon një vend në fletën e zgjedhjeve presidenciale të 17 marsit.
Ligjvënësi dhe akademiku 60-vjeçar ka folur publikisht për ndalimin e luftës në Ukrainë, fundin e mobilizimit të burrave rusë dhe fillimin e një dialogu me Perëndimin, raporton skynews.
“Mbledhja e nënshkrimeve ka shkuar, do të thosha, papritur mirë për ne”, tha Nadezhdin për Associated Press.
Ai ka shumë pak gjasa të mposht Vladimir Putinin, por radhët e gjata të njerëzve janë shenjë e rrallë sfidimit të pushtetit të presidentit aktual.
Në pritje për të nënshkruar një peticion në Shën Petersburg, Alexander Rakityansky tha se ai mbështet Nadezhdinin në mënyrë që vendlindja – Belgorod “të mos bombardohet dhe njerëzit të mos vdesin në rrugë”.
Nadezhdin është kandidat i Partisë “Nisma Qytetare”. Për shkak se partia nuk përfaqësohet në parlament, atij nuk i garantohet një vend në fletëvotim dhe duhet të mbledhë mbi 100 mijë nënshkrime, me një kufi prej 2500 nga secili prej dhjetëra rajoneve të vendit, jo vetëm nga qytetet më të mëdha, më progresive. /Telegrafi/