Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka vazhduar gjykimi për rastin e PSP-së “Tortura”, i cili ka të bëjë me arrestimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme Ljube Boshkoski, nga njësiti special “Alfat” në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.
Në seancën e sotme ka dëshmuar i akuzuari i parë në këtë rast Sasho Mijallkov. Ai tha se gjatë punës së tij mund të dëshmojë se çdo herë ka punuar mbi bazë të dëshmive, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Në rastin e arrestimit të Boshkoskit, ka pasur dëshmi mbi bazë të të cilave gjykatësi kompetent ka dhënë urdhër për arrestim për vepër penale, për të cilat opinioni ka pasur rast të sheh videot se si Boshkoski për herë të tretë në mënyrë joligjore ka marrë 100 mijë euro kesh”, tha mes tjerash Mijallkov.
Pas lëshimit të videos së parë në seancë, i akuzuari Sasho Mijallkov kërkoi fjalën dhe tha se Ljube Boshkoski publikisht i ka kërkuar fjalë për siç tha, shpifjet dhe fjalimet në fushatën parazgjedhore.
Ndryshe, gjykimi për rastin “Tortura” ndodhet në fazën e prezantimit të dëshmive dhe në seancën e sotme janë lëshuar video nga konferencat për shtyp dhe fjalimet e Boshkoskit, si dhe anëtarëve të partisë së tij gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 2011./Telegrafi/