Telegrafi

Migrantët e strehuar në Shqipëri, qeveria përcakton kuotën financiare që përfitojnë

Qeveria ka nxjerrë një vendim për mënyrën e administrimit të fondeve dhe qëndrimit në një territor të caktuar të shtetasve të huaj, të urdhëruar për të qëndruar në një territor të caktuar brenda vendit tonë.

Sipas vendimit të qeverisë, fondet për qëndrimin në një territor të caktuar të një shtetasi të huaj, i cili është urdhëruar  të qëndrojë  në  një  territor të caktuar, përdoren  në përputhje me programin  buxhetor  dhe  zërat  e shpenzimeve të parashikuara për çdo vit.

“Zërat e shpenzimeve për sigurimin e kushteve për qëndrimin e shtetasve të huaj në një territor të caktuar përfshijnë: a) sigurimin e strehimit,   të ushqimit e të veshmbathjes; b) ndihmën financiare me një kuotë mujore prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj.”, thuhet në vendim. Administrimi i fondeve do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH).

Ndihma financiare

Për   dhënien e ndihmës financiare DPPSH-ja kërkon hapjen e llogarisë ekonomike analitike të shpenzimeve  në  sistemin  informatik  financiar të qeverisë (SIFQ), me  emërtimin “Shpenzime për ndihmën financiare për shtetasin e huaj të urdhëruar për të qëndruar në një territor të caktuar”.

Transferimet e mjeteve monetare nga fondet e përcaktuara për qëndrimin e shtetasit të huaj në një territor të caktuar të përfituesit kryhen nga struktura përgjegjëse për thesarin në degë, me  kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përputhje me skemën  ekzistuese  të  ekzekutimit të pagesave të përfituesit individë nëpërmjet strukturës së thesarit.

“DPPSH-ja raporton, brenda datës 5 të muajit pasardhës, për të gjitha pagesat e kryera gjatë muajit paraardhës,  si dhe brenda datës 31  janar të  vitit pasardhës për të gjitha pagesat e kryera gjatë vitit paraardhës.”, theksohet në vendimin e qeverisë.

Kur humbet trajtimi financiar

Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, qëndron në një ambient ose rezidencë akomoduese. Ambienti ose rezidenca akomoduese e destinuar për një shtetas të huaj është një apartament, shtëpi  private,  strehëz, qendër e hapur apo hotel.

Kur shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar hyn në marrëdhënie pune, trajtimi financiar për  strehimin, ushqimin, veshmbathjet dhe ndihma   financiare ndërpriten.

Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar është i detyruar të respektojë rregullat e regjimit ditor në varësi të  llojit dhe rregullave të ambientit ose rezidencës akomoduese./RTSH