Qeveria ka nxjerrë një vendim për mënyrën e administrimit të fondeve dhe qëndrimit në një territor të caktuar të shtetasve të huaj, të urdhëruar për të qëndruar në një territor të caktuar brenda vendit tonë.
Sipas vendimit të qeverisë, fondet për qëndrimin në një territor të caktuar të një shtetasi të huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, përdoren në përputhje me programin buxhetor dhe zërat e shpenzimeve të parashikuara për çdo vit.
“Zërat e shpenzimeve për sigurimin e kushteve për qëndrimin e shtetasve të huaj në një territor të caktuar përfshijnë: a) sigurimin e strehimit, të ushqimit e të veshmbathjes; b) ndihmën financiare me një kuotë mujore prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj.”, thuhet në vendim. Administrimi i fondeve do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH).
Ndihma financiare
Për dhënien e ndihmës financiare DPPSH-ja kërkon hapjen e llogarisë ekonomike analitike të shpenzimeve në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ), me emërtimin “Shpenzime për ndihmën financiare për shtetasin e huaj të urdhëruar për të qëndruar në një territor të caktuar”.
Transferimet e mjeteve monetare nga fondet e përcaktuara për qëndrimin e shtetasit të huaj në një territor të caktuar të përfituesit kryhen nga struktura përgjegjëse për thesarin në degë, me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në përputhje me skemën ekzistuese të ekzekutimit të pagesave të përfituesit individë nëpërmjet strukturës së thesarit.
“DPPSH-ja raporton, brenda datës 5 të muajit pasardhës, për të gjitha pagesat e kryera gjatë muajit paraardhës, si dhe brenda datës 31 janar të vitit pasardhës për të gjitha pagesat e kryera gjatë vitit paraardhës.”, theksohet në vendimin e qeverisë.
Kur humbet trajtimi financiar
Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar, qëndron në një ambient ose rezidencë akomoduese. Ambienti ose rezidenca akomoduese e destinuar për një shtetas të huaj është një apartament, shtëpi private, strehëz, qendër e hapur apo hotel.
Kur shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar hyn në marrëdhënie pune, trajtimi financiar për strehimin, ushqimin, veshmbathjet dhe ndihma financiare ndërpriten.
Shtetasi i huaj, i cili është urdhëruar të qëndrojë në një territor të caktuar është i detyruar të respektojë rregullat e regjimit ditor në varësi të llojit dhe rregullave të ambientit ose rezidencës akomoduese./RTSH