Policia e Kosovës ka ndaluar dy vetura me targa vendore në magjistralen Gjilan-Ferizaj, të cilat drejtoheshin nga dy meshkuj kosovarë.
Gjatë kontrollit në vetura, janë zbuluar nga katër pasagjerë migrantë nga India dhe Nepali, të cilët dyshohet se kishin për destinacion Shqipërinë dhe më pas vendet e Bashkimit Evropian.
Policia ka identifikuar edhe vendin ku dyshohet se migrantët kanë qëndruar, ku janë hasur edhe gjashtë persona të tjerë nga India pa dokumente identifikimi.
Njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës janë angazhuar në rast, ndërsa migrantët, dy vozitësit dhe një person tjetër i dyshuar janë dërguar në Drejtorinë Rajonale të Kufirit – Lindje.
Të gjitha veprimet ligjore janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj. /Telegrafi/