Site icon Telegrafi

Miftari kërkon ndihmën e Plisave për derbin ndaj rumunëve

Në një konferencë për media, ish-lojtari i Prishtinës thotë se kjo do të jetë ndeshja më e madhe që është zhvilluar deri tani në sallën e Pallatit të Rinisë.

“U bëj thirrje tifozëve të basketbollit, në veçanti ‘Plisave’ që të vijnë në numër sa më të madh në këtë derbi, i cili është më i madhi që është zhvilluar deri më tani në këtë palestër. Kemi përballë ekipin e pamposhtur në FIBA Europe Cup, Energian, të cilin duam ta mposhtim dhe t’ia shkaktojmë humbjen e parë këtë edicion”, ka thënë Miftari, raporton koha.net.

Ndeshja me Energian, që është e pamposhtur deri tani, mund të jetë vendimtare për kualifikimin e Prishtinës në raundin e dytë të kësaj kupe. Deri tani Prishtina në Grupin K ka dy humbje dhe një fitore. Në takim me Energian kishte pësuar në Rumani me rezultat 87-72. Aktualisht zë vendin e fundit në tabelë, me katër pikë sa i kanë edhe Astana e AEK Larnaca, në pozitat tre dhe dy. Faza e parë grupore në FIBA Europe Cup përfundon në fillim të muajit dhjetor. Dy ekipet e para të secilit prej 14 grupeve avancojnë në fazën e dytë grupore. Ndërsa një vend në fazën e dytë e sigurojnë edhe katër ekipet më të mira që përfundojnë në pozitat e treta nëpër grupe.

Takimi zhvillohet të martën në ora 19:00.
 

Exit mobile version