Në të kaluarën, asetet shtetërore janë përdorë për fushatë të partive politike. Megjithatë, nga shoqëria civile këtë e kategorizojnë si keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa, për asetet e Kuvendit, do të merret së shpejti edhe një vendim.
Asetet shtetërore nuk duhet të shfrytëzohen për fushatë elektorale. Edhe pse kjo ka ndodhë shpesh në të kaluarën, Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi në Kosovë thotë se kjo do të ishte keqpërdorim i detyrës zyrtare.
“Përdorimi i resurseve publike për nevoja personale hyn në sferën penale. Fatkeqësisht ka pasur mungesë vullneti nga secila qeveri për të ndalur shfrytëzimin e aseteve publike në fushatë apo nevoja tjera personale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ehat Miftaraj.
Edhe qytetarët kanë një mendim sa i përket shfrytëzimit të aseteve në fushatë.
“Duhet të dorëzojnë veturat dhe të shkojnë si të tjerët. Është e thjeshtë kjo punë”, shprehet një qytetar.
Përmes një përgjigje me shkrim, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi tha se së shpejti, ata do të marrin një vendim lidhur me këtë.
“Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e parë, e cila pritët të mbahet në ditët në vijim, vendos për të drejtat e deputetëve në shfrytëzimin e të mirave që ofron Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ismet Krasniqit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/