Telegrafi

Miftaraj për “Kobrën”: Prokuroria dhe Gjykata në Prizren e kanë falur 16 herë me dënime amnistuese

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka komentuar vrasjen dhe plagosjen e dy personave nga Kukësi në Prizren, ku i dyshuar është Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”.

Miftaraj ka thënë se nuk është për t’u çuditur nëse ky rast trajtohet si vetëmbrojtje, pasi sipas tij, Prokuroria dhe Gjykata në Prizren Hoxhajn e kanë falur 16 herë me dënime amnistuese.

Ndaj, ai ka deklaruar se nuk përjashtohet mundësia që edhe kësaj here ta falin.

“Mos u çuditni nëse në fund del se vrasja e fundit në Prizren, del të jetë në ‘vetëmbrojtje’! Nëse Prokuroria dhe Gjykata në Prizren, e kanë fal 16 herë me dënime amnistuese, nuk përjashtohet mundësia që edhe herën e 17-të me ia bë një argat”, ka shkruar Miftaraj në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, ka thënë se në një shtet normal, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe ai Prokurorial (KPK), do të duhej të caktonin komisione ad-hoc të përbërë nga gjykatës e prokurorë me integritet, përvojë dhe ekspertizë për t’i analizuar, vlerësuar dhe verifikuar 16 aktakuzat dhe 16 aktgjykimet në rastet ndaj Dibran Hoxhës.

“Është interes publik për ta kuptuar se në 16 aktakuza, cilët janë prokurorët e këtyre rasteve? Në 16 aktakuza dhe shqyrtime gjyqësore sa herë prokurorët kanë informuar gjykatën se kryesi i veprave penale është recidivist?”.

“Në 16 aktgjykimet dënuese është interes publik me ditë se si është zbatuar politika ndëshkimore? Ndaj 16 aktgjykimeve në sa prej tyre është bërë ankesë nga ana e prokurorit lidhur me dënimin e shqiptuar?”.

Mes tjerash, Miftaraj ka shtuar se Ministria e Drejtësisë në kuadër të saj ka Shërbimin Sprovues, i cili është kompetent për organizimin, zbatimin dhe mbikëqyrjen e ekzekutimit të dënimeve alternative dhe të riintegrimit shoqëror të personave të dënuar.

Sipas tij, në rastin në fjalë ku janë 16 aktgjykime dënuese, duhet ditur nëse Shërbimi Sprovues ka qenë i informuar dhe nëse po, a ka marrë ndonjë veprim.

“Apo Shërbimi Sprovues është një mekanizëm, një numër i zyrtarëve publikë që paguhen nga shteti, por që në publik pak persona janë të njohur lidhur me atë që bëjnë apo çka punojnë? Shërbimi Korrektues të dal me njoftim se në 16 aktgjykime ndaj Dibran Hoxhës, me sa është dënuar me burgim efektiv?”

“Shërbimi Korrektues i Ministrisë së Drejtësisë të dal dhe të informojë publikun se në rastet kur është dënuar me burg efektiv, a e ka vuajtur dënimin në tërësi? Cila ka qenë sjellja e tij në qendrat korrektuese? Shume pyetje, e asnjë përgjigje nga asnjëra hallkë e institucioneve të drejtësisë!”. /Telegrafi/