Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka sqaruar se si e sheh Kushtetuta e Kosovës kufizimin e lirisë së lëvizjes në disa lokacione dhe si dallon ajo nga ndalimi i lëvizjes në tërë vendin.
Miftaraj për RTV Dukagjinin ka thënë se ministri i Shëndetësisë ka të drejt të vendos për futjen e lokacioneve të caktuara në karantinë.
“Futja e Malishevës në karantinë, në rastin konkret, dhe dy komunave veriore është në pajtim me Ligjin për shëndetësinë dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Por Ministria e Shëndetësisë e as qeveria nuk kanë të drejtë të marrin vendime të cilat e kufizojnë lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës”.
Drejtori i IKD-së thotë se Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kosovës e përcaktojnë çartë se kufizimi i lirive dhe të drejtave të njeriut siç është liria e lëvizjes mund të bëhet vetëm me ligj dhe atë nga Kuvendi i Kosovës.
“Çdo shmangie nga këto rregulla do të ishin shkelje kushtetuese”, tha mes tjerash Ehat Miftaraj./Telegrafi/