Site icon Telegrafi

Miftaraj: Haradinaj mund të gjykohet për vepra të tjera penale

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Haradinajt ishte politike dhe se askush nuk e ka nxitur ta bëjë një veprim të tillë.

Miftaraj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara ka përcaktuar qartë se asnjë person nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtën vepër penale.

“Sidoqoftë, Haradinaj sigurisht se mund të hetohet, ndiqet penalisht dhe gjykohet për vepra tjera penale për të cilat nuk është hetuar dhe gjykuar nga ana e Gjykatës së Hagës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Përfaqësuesi i IKD-së ka thënë se në bazë të ligjeve Haradinaj sot është dashur të informohet për veprat që dyshohet.

Duke komentuar dorëheqjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit, Miftaraj ka thënë se ajo ishte një veprim politik pasi që faza e hetimit ndaj tij ka qenë shumë e hershme.

Ai thotë se Haradinaj ka pasur mundësinë të vendos një standard për qeverisje, pasi që sipas tij në qeveri ka pasur ministra me aktakuza që Haradinaj nuk i ka shkarkuar.

“Nuk besoj se dorëheqja e tij ka qenë e shtyrë nga faktori ndërkombëtarë apo faktorë të tjerë…Dorëheqja e tij ngjalli te qytetarët ndjenjën e komandantëve të pazëvendësueshëm për vitet 1999, por 20 vite pas populli më nuk mund ta merr një komandantë si person të pazëvendësueshëm pasi të njëjtën kanë dështuar në qeverisje pas luftës”, tha ndër të tjera Ehat Miftaraj./Telegrafi/

Exit mobile version