Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e ka cilësuar si emancipim politik dorëheqjen e Naim Fetahut nga pozita e kryetarit të PDK-së në Podujevë pas rezultatit në zgjedhjet e fundit lokale.
“Dorëheqja e Kryetarit të PDK në Podujevë dhe disa anëtarëve të kësaj partie në këtë komunë pas humbjeve në zgjedhjet e fundit dhe në zgjedhjet paraprake duhet shikuar si emancipim politik dhe llogaridhënie në raport me partinë dhe votuesit e kësaj partie në Podujevë.”, ka shkruar Miftaraj në një postim në Facebook.
Sipas Miftarajt ky shembull duhet të ndiqet nga të gjithë politikanët në nivel qendror dhe atë lokal.
“Nëse nuk i fiton zgjedhjet, duhet me pas kulturë politike dhe me iu hap rrugë të tjerëve në parti që me vizionin apo angazhimin e tyre me ba ndryshime në mënyrë që partia e caktuar të ketë mundësi të fitoj.
Është e pakuptimtë që një lider i partisë politike apo të njëjtit kandidat nëpër komuna të humbin radhas zgjedhjet për 10 vjet e më shumë dhe prapë të mbesin si zgjedhja e parë për zgjedhjet e ardhshme”, ka shtuar ai. /Telegrafi/