Site icon Telegrafi

Midis BE-së dhe komunitetit politik evropian

Sot, më 6 tetor, në Pragë mblidhet Samiti i Parë i Komunitetit Politik Evropian (KPE) me praninë e liderëve nga 44 vende anëtare, kandidate dhe jo anëtare të BE-së.

Idenë për krijimin e KPE-së e hodhi Presidenti francez Macron më 9 maj, në Seancën Plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, dhe e konfirmoi në Samitin e BE-së me 24 qershor në Bruksel; me mbështetjen e menjëhershme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, dhe liderëve të tjerë evropianë.

Zyrtarisht, ky Grupim i ri evropian është platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në kontinent”. Ky Samit inaugurues do të kufizohet te paqja, siguria, klima, kriza energjetike dhe situata ekonomike.

Gjatë muajve të fundit kishte shumë debate, diskutime, hamendjesime, rezerva dhe dyshime mbi KPE-në, arsyet dhe motivet e vërteta të krijimit, të ardhmen dhe rrjedhojat e pritshme në politikën evropiane dhe më gjerë.

Një ndër shqetësimet kryesore, sidomos në rajonin tonë lidhej me dyshimet për dobësimin, ngadalësimin e deri në heqjen nga agjenda të zgjerimit të mëtejshëm evropian; madje, në disa forume evropiane dhe rajonale u deshën kompromiset e minutës së fundit për ta mbajtur Zgjerimin dhe si term në dokumentet e BE-së. Këtë dyshim e shtoi Strategjia e Re e Zgjerimit 2020, e cila nuk përcakton afate konkrete për anëtarësimin e vendeve të rajonit tonë. Ndërkohë, po zvarritej çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, procedurat e tjera, sidomos shtimi i kontrollit të vendeve anëtare në çdo etapë të procesit, praktikisht dukej se e shtynin në kalendat greke anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Në fakt, ky shqetësim nuk ishte pa baza; ai i referohej idesë së krijimit të një “Evrope me dy shpejtësi/korsi” që qarkullonte deri vonë dhe asaj me “tri rrathë koncentrikë”, të cilën Presidenti Macron e kishte artikuluar në ligjëratën e tij në Universitetin e Lisbonës më 27 korrik 2018.

Dyshimi tjetër ishte se nëpërmjet këtij forumi, Brukseli, Franca dhe Gjermania synojnë të realizojnë hegjemoninë e tyre në Evropë; ndryshe, sipas skeptikëve, përse është e nevojshme KPE-ja, kur kemi KiE-në dhe OSBE-në?

Gjithsesi, shumë gjëra duket se tani janë sqaruar dhe sheshuar. Për më tepër, agjenda e lehtë, informale, takimet dypalëshe, mungesa e një deklarate ose Komunikate nga Samiti i Pragës, sidomos fakti që takimi i ardhshëm do të zhvillohet ndoshta në Londër sipas ftesës paraprake të qeverisë britanike, theksi që i është vënë procesit të zgjerimit me dhënien e statusit “kandidat” për Ukrainën dhe çeljen e negociatave me dy vendet tona, mbi të gjitha agresioni rus dhe rezistenca heroike ukrainase kanë qetësuar “ shpirtrat e trazuar”.

Ndaj, le të ndalemi në aktorët/faktorët dhe “psetë” kryesore që e bëjnë të nevojshëm këtë konstruksion të ri Politik Evropian dhe të ardhmen e tij.

Së pari, le ta themi troç se kriza e koronës dhe veçanërisht agresioni rus ndaj Ukrainës dëshmoi se BE-ja me 27 vende anëtare e ka të pamundur të luajë e vetme rolin e saj gjeopolitik në skenën evropiane dhe më gjerë. Ajo nuk ka lëvizur pothuajse asnjë centimetër pas cilësimit epik të ish-ministrit të Jashtëm belg Mark Eyskens më 1991 se “ BE-ja është gjigand ekonomik, xhuxhmaxhuxh politik dhe krimb ushtarak”. Në 10 vitet e fundit ajo ka dështuar në politikat e saj të fqinjësisë dhe në Ballkan, duke qenë “ zjarrfikëse” por jo parandaluese dhe menaxhuese.

Ndikim negativ të veçantë ka patur largimi i Britanisë së Madhe, duke krijuar një gropë të madhe në të gjitha aspektet e sidomos në ato ushtarake, grindjet/debatet e brendshme për “ ribërjen e BE-së” dhe dukuri të tjera negative.

Veç kësaj, rolin e saj në Evropë dhe më gjerë po e kërcënojnë alternativat ruso-kineze, si Bashkimi Euro-Aziatik, apo BRIC ( Brazili, Rusia, India dhe Kina)

Ja pse, për realizimin e objektivave të saj gjeopolitike, BE-ja ka nevojë të ngutshme për zgjerim dhe kohezion politik me vende të mëdha fqinje dhe shtete të tjera të fuqishme, sidomos Britaninë e Madhe, Turqinë dhe aktualisht Ukrainën. Veç rolit lider britanik në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, Turqia ka patur ndikim madhor në frenimin e valëve masive të azilit nga Afrika, duke strehuar për vite me radhë rreth 4 milion refugjatë. Marrëveshja me të ishte shpëtimtare për politikën e kompromentuar të azilit të BE-së; edhe pse i duhet të paguajë një çmim të lartë, duke mos “bërë potere” për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. E tepërt të theksojmë peshën e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake turke, rolin e saj vendimtar në zgjidhjen e konflikteve të armatosura, sidomos në Libi dhe Siri, ku BE-ja, madje dhe ShBA-të dolën pothuajse “jashtë loje” dhe së fundi si ndërmjetësuese midis Rusisë dhe Ukrainës.

Së dyti, në kuadrin e krijimit të një fronti të gjerë të shteteve demokratike, KPE-ja synon të bashkojë shumë vende, të cilat nuk synojnë anëtarësimin në BE, si Norvegjia, Islanda, Zvicra, ose e kanë të pamundur këtë anëtarësim brenda një afati të shpejtë kohor; tipik është rasti i Ukrainës dhe i Ballkanit Perëndimor, ku statusi “ kandidat” dhe negociatat e anëtarësimit janë të pamjaftueshme dhe “nuk ngopin”

Mirëpo, nuk është e drejtë që këto vende aleate tradicionale të BE-së dhe me potenciale të mëdha në fushat e ekonomisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes, të lihen “në plan të dytë e të tretë”, mbasi kjo do të zbehte ndjeshëm efektivitetin e veprimit politik të BE-së dhe pritshmëritë e saj gjeopolitike.

Së treti, shmangia përfundimtare e ndërhyrjeve dhe rrezikut rus e kinez, sidomos në vendet me sisteme të pakonsoliduara politike dhe ekonomike, në Ballkan dhe gjetkë është kthyer në një përparësi absolute gjeostrategjike. Për rrjedhojë, duke i afruar dhe më shumë këto vende në KPE, BE-ja shuan ose zbut kritikat dhe qortimet për lënien e tyre pasdore përballë rreziqeve të mësipërme.

Së katërti, vërtet që në Evropë dhe më gjerë operojnë KiE-ja dhe OSBE-ja, mirëpo përvoja e viteve të fundit tregon se roli dhe ndikimi i tyre lidhur me kohezionin politik dhe institucional është gërryer sa nuk ka më për shkak të Rusisë dhe Bjellorusisë; në fakt, ato dinë dhe duan vetëm të bllokojnë gjithçka atje dhe në OKB, në kundërshtim të hapur me parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. Ndaj ato nuk do të jenë në KPE, e cila është bashkim i vendeve me vlera dhe parime të përbashkëta demokratike dhe perëndimore.

Së pesti, tashmë është bërë e qartë se KPE-ja nuk do të zëvendësojë procesin e zgjerimit dhe as nuk do të jetë shkas për ngadalësimin e ritmeve të tij. Përkundrazi, falë marrëdhënieve, nismave dhe mundësive politike që do të krijohen brenda tij, KPE-ja do të sugjerojë lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit të zgjerimit dhe promovimin e programeve shtesë të ndihmave të BE-së.

Por, le ta theksojmë se përparimi në këtë drejtim do të jetë kryesisht në vartësi të ecurisë së vendeve kandidate në procesin e reformave demokratike dhe arritjeve të brendshme. Ndaj, të mos e gënjejë njeri mendja se KPE-ja do të jetë alternativë, zëvendësues ose kompensim i strategjisë së zgjerimit, aq më pak i dështimeve tona me reformat dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Së gjashti, KPE-ja do të jetë “pronë” e të gjithëve, pa dallim e diskriminim, pavarësisht nga madhësia gjeografike, popullsia, pesha ekonomike, etj.

Sa për pyetjen përse e nisi Macroni dhe Franca idenë e KPE-së, vetëkuptohet se si bashkëthemelues të BE-së, falë peshës gjeopolitike dhe kontributit të tyre të gjithanshëm, Franca dhe Gjermania janë dhe do të mbeten boshti i pazëvendësueshëm i BE-së. Asnjë vend tjetër i madh perëndimor nuk i ka kapacitetet, konsensusin, përvojën dhe rolin e tyre historik në Evropë dhe më gjerë. Pastaj, nëse këtë nismë do ta shpaloste një vend më i vogël, do të thuhej, po pse te ai mbeti kjo nismë e madhe, ai mbeti për të na mësuar, ose do të quhej si “ satelit” i ndonjë vendi të madh. Ndaj, është më e udhës të gjykohet se sa ia vlen një ide apo nismë politike, sidomos kur lansohet nga një vend me rezonancë planetare si Franca mbi baza gjithëpërfshirëse.

Deri tani përmendëm aspektet pozitive dhe avantazhet, por funksionimi i KPE-së nuk përjashton dhe të kundërtën, d.m.th. problemet, sherret, kthimin e tij në një tribunë kundër BE-së, vendeve dhe vendimeve të tij të veçanta.

Së fundi, nga Samiti inaugurues në Pragë nuk pritet ndonjë gjë konkrete, veç frymës, dhe klimës pozitive premtuese. Në fakt, puna e vërtetë fillon tani. Vlen të theksohet që ndonëse tani për tani KPE-ja nuk zëvendëson dhe as krijon ndonjë strukturë tjetër, është naive të besosh se ajo do të mbetet përherë një forum i lartë konsultativ që mblidhet dy herë në vit! Përkundrazi, madje përgatitjet dhe hapat intensive për strukturimin, përcaktimin e misionit dhe procedurat e anëtarësimit të tij tashmë kanë filluar; këto të fundit do të mbështeten mbi parimin e “soft-law” ose “ligji i butë” çka nënkupton jo kritere të rrepta si ato të BE-së, jo të drejtë vetoje dhe shumicë të cilësuar votash; mbi të gjitha respektimin e standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Këto dhe të tjera aspekte do të përcaktohen në Programin e KPE-së deri në vitin 2023, i cili do të jetë produkt i bashkautorësisë së vendeve anëtare të BE-së me ato kandidate dhe jo anëtare. Përpunimi dhe miratimi i tyre përfundimtar do të bëhet pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2024. Kjo do të krijojë hapësirë dhe kohë të bollshme, që mbi bazën e propozimeve që do të bëhen deri atëherë në KPE, edhe BE-ja nga ana e saj të bëjë ndryshimet e duhura në traktatet e saj themelore, të cilat parashikojnë heqjen e vetos dhe lejojnë shumicën e kualifikuar në aspektet e politikës së jashtme, të zgjerimit, etj.

Përfundimisht, ka shumë të ngjarë që nëse gjithçka ecën mirë dhe pa probleme, nëpërmjet KPE-së të krijohet një arkitekturë e re gjeopolitike në Evropë, natyrisht në bashkëpunim me SHBA-të, por me një autonomi cilësisht më të madhe. Ndonëse pak më lart u tha se tani për tani ajo nuk zëvendëson e as dublon ndonjë grupim tjetër evropian, në të ardhmen e afërt KPE-ja mund të kthehet në një lloj OSBE-je të re, veçse tani pa Rusinë dhe Bjellorusinë, mbi bazën e një dokumenti vijues të ngjashëm me “Akti Final i Helsinkit”( 1975) dhe “Karta e Parisit për një Evropë të re “ e Nëntorit 1990.

Së fundi, për të qenë të sinqertë, në kushtet e krizave të rënda që kanë mbërthyer kontinentin, të telasheve dhe halleve të përditshme të miliona qytetarëve evropianë, jehona e KPE-së është në minimumet e veta. Por, vendimtare për të ardhmen dhe suksesin e saj do të jetë fitorja e Ukrainës mbi Rusinë, si triumfi i vlerave evropiane mbi regjimet totalitare dhe autoritare. Ajo do të krijojë një moment të ri epokal paqeje, miqësie dhe bashkëpunimi, pse jo dhe më entusiazte se atmosfera e krijuar pas ribashkimit gjerman dhe evropian.

 

 

Exit mobile version