Deklarata e familjarëve të heroit të Kosovës, Enver Zymbri, se vendimi i Qeverisë së Kosovës më 25 korrik ka qenë i drejtë dhe i mirëpritur, që e transmetoi RTK-ja, ishte më e fuqishme se të gjitha deklaratat e partive politike dhe “analizat” e publicistëve antiqeveritarë lidhur me përkrahjen ndaj këtij vendimi të ekzekutivit kosovar, që po gjen mbështetje gjithnjë e më shumë nga diplomatë të huaj, ish ministra të jashtëm, kongresmenë dhe senatorë.
Përkrahja autentike
Përkundër faktit se familja Zymberi kishte ende ditë morti, pikëllim dhe dhembje, në fytyrat e njerëzve, në oborr, por edhe në ekran, lexohej edhe një ndjenjë krenarie. Atmosfera e përzishme e vdekjes kishte një nuancë luksoze të ndriçimit, që mund të prodhohen vetëm nga situatat njerëzore kur vdekja nuk është akt fiziologjik, por akt filozofik, me mesazh të lartë shoqëror dhe atdhetar.
Gjuha e qartë, pa ekuivoke, pa stereotipinë dhe klishenë e gjuhës së politikës “zyrtare” e familjarit të Enver Zymberit është gjuha më autentike, pa spekulime, përdredhje dhe vetëpërdredhje, që mund të shërbejë si model i përcjelljes së mesazhit me një drejtpërdrejtshmëri lakonike, qartësi kuptimore dhe pohim deklarativ të njerëzishëm. Ajo deklaratë nuk kishte pompozitet dhe retorikë përfituese, sepse çmimi i sakrificës së familjes Zymberi është shumë i lartë në krahasim me çdo kompensim postmortor të natyrës mediale, materiale etj.
Shpejtësia e dekorimit të policit Enver Zymberi me titullin “Hero i Kosovës” nga Presidenca ishte një gjest dhe tregues se sa e ndjeshme politikisht, shpirtërisht, emocionalisht dhe zyrtarisht është çështja e veriut të Mitrovicës. Nuk ka këtu kurrfarë patetizmi dhe as atdhetarizmi të ngutur. Dekorata e lartë institucionale është vlerësim për njeriun që me guxim dhe përulësi mbron atdheun e vet, ligjin, kushtetutën dhe rendin ligjor.
Por, nuk munguan cinikët dhe ata që po kujdestarojnë e vigjilojnë me vëmendje të shtuar se nga po rrjedh drejtimi i zhvillimit të situatës pas 25 korrikut. Pati edhe të tillë që lavdinë e vdekjes, rënien heroike të Enver Zymberit e lidhin me suksesin apo mossuksesin e veprimit të Qeverisë së Kosovës, dhe presin që në rast të zmbrapsjes së vendimit, të zbehet edhe figura e heroit, titulli, Presidenca. Kjo mënyrë e të “opinionuarit” është më shumë se market i zi, kulm i shkollës së spekulimit, zvetënimit dhe bjerrjes morale.
Është fatbardhësi që një numër i madh i personaliteteve ndërkombëtare është vënë në mbështetje të vendimit të qeverisë, pa hezitime, duke shprehur përkrahje, sepse një pjesë e tyre janë lidhur me çështjen e Kosovës dhe me modelimin e shtetësisë së saj. As liria e Kosovës, as themelet e saj shtetërore nuk janë të krijuara nga një ‘big bang’, nga një veprim i vetëm, i rastit apo i një dëshire të çastit, por janë rezultat i një pune vigane, gjaku, djerse, shqetësimi, i veprimeve evolutive, i reagimeve individuale dhe kolektive të qëlluara në kohë dhe hapësirë.
Qortimet raciste
Të gjithë ata që janë të lidhur ngushtë me këtë projekt, aktorët e brendshëm dhe ata të jashtëm në filozofinë e tyre të përgjithshme dhe individuale kanë tjetër model rezonimi dhe tjetër mënyrë sjelljeje. Janë pikërisht zhvillimet e tilla, të cilat u bartën dhe kaluan nëpër kurriz, mendje dhe duar të aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, që vunë në spikamë, i bën të dallueshëm dhe i shndërruan në aktorë të ndërrimit të gjendjes së Kosovës nga një vend i robëruar në një vend të lirë. Nga vend i lirë në një vend që dita ditës po e ndërton, plotëson dhe përmirëson fizionominë e saj shtetërore.
Askush nuk ka të drejtë ta kapitalizojë përjetë meritën të cilën e ka ravijëzuar nëpër procesin e bërjes së historisë, ose thënë ndryshe mund të jesh pjesë e bërjes së historisë deri atëherë kur nuk ke harxhuar kredibilitetin historik, politik dhe institucional, duke verifikuar vetveten në proceset e zhvillimeve brenda rregullave të shoqërisë demokratike. Aq më pak mund të monopolizohet dhe pronësohet një gjë e tillë në një shoqëri e cila vazhdimisht kalon nëpër procesin e zgjedhjeve, monitorimit ndërkombëtar, pranisë së OSBE-së, KFOR-it ICO-së etj.
Është parim i njohur filozofik e drejta për ta qortuar atdheun tënd, kombin, popullin të cilit i përket. Për ta goditur pjesën e mekanizmit që nuk lëviz, për ta hequr letargjinë, gjumin, dembelinë, pjesën e mbrapshtë, nevoja për ta bërë purifikimin shpirtëror, ikjen nga primitiviteti dhe barbaria. Por edhe për ata që e duan ta bëjnë këtë kastigim kërkohet një kriter: duhet të kenë shpirt të pastër, shpirt të madh, mendje të hapur, ndershmëri legjendare, moral të lartë dhe të jenë të dëshmuar në sferën shpirtërore si demiurgë në filozofi, kulturë, art, shkencë dhe përkushtime të thella e jetësore në të mirë të kombit dhe njerëzimit.
Dhe, të tillë që duan të jenë qortues të mëdhenj dhe përmbysës të klasës politike, që sot qeveris me votën legjitime të qytetarëve të Kosovës, ka dhe natyrisht që duhet të ketë në një shoqëri të mendimit të lirë, të mediave të shumta. Por, nuk duhet shumë dije dhe shije për ta parë ku qëndron dallimi midis mendimit kritik dhe urrejtjes patologjike, refuzimit paraprak, të të menduarit me paragjykime dhe tendenciozitet më shumë se të tejdukshëm. Ndoshta është e tepërt të thuhet sot, por në historinë e publicistikës sonë pas njëqind vjetësh, pa asnjë dozë hezitimi do të evidentohet edhe krahana (ithtarët, rryma) e “publicistëve”, e cila shquhet jo vetëm me urrejtje të tillë apo të këtillë, por thjeshtë me urrejtje raciste kundër klasës politike që jetësoi krijimin e shtetit të Kosovës.
Shteti i Kosovës. Ky togfjalësh ma përkujton tipologjinë kadareane për dy Shqipëritë, në librin e tij “Mosmarrëveshja”. Shqipëria londineze, është ajo Shqipëri e 1912, që te mbiemri paradoksal aristokrat (londineze) ka gjymtimin, dhe Shqipëria Atlantike, Kosova që te mbiemri i saj ka kuptimësinë dhe plotëninë e saj. Edhe veriun e Mitrovicës.
Ashpërsia dhe logjika makabre e debatit, kundërshtimi dhe lufta mediale që i bëjnë një pjesë e “opinionistëve” qeverisë së sotme të Kosovës do të ishte motiv i denjë, plotësues i librit eseistik të Ismail Kadaresë “Mosmarrëveshja”.
(Autori është publicist dhe këshilltar politik i kryeministrit Thaçi)