Microsoft ka ndërprerë një operacion masiv të hakimit, i cili mund të kishte ndikuar indirekt në infrastrukturën zgjedhore presidenciale të SHBA-së.
Kompania tha të hënën se rrëzoi serverat që qëndrojnë pas Trickbotit, një rrjet i madh “malware” që kriminelët po e përdornin për të nisur sulme të tjera kibernetike, duke përfshirë një varg “ransomware” shumë të fuqishëm, raporton CNN.
Microsoft tha se mori një urdhër gjykate federale për të çaktivizuar IP Adresat e lidhura me serverat e Trickbotit dhe ka punuar me ofruesit e telekomit në të gjithë botën për të shkatërruar rrjetin, transmeton Telegrafi.
Veprimi përkon me një ofensivë nga Komanda Kibernetike e SHBA-së për të përçarë kriminelët kibernetikë, të paktën përkohësisht, sipas The Washington Post. Microsoft (MSFT) pranoi se sulmuesit ka të ngjarë të përshtaten dhe të kërkojnë të ringjallin operacionet e tyre.
Trickbot lejoi keqbërësit të shesin atë që Microsofti tha se ishte një shërbim për hakerat e tjerë – duke u ofruar atyre aftësinë për të injektuar kompjuterë, routerë dhe pajisje të tjera të prekshme me “malware”.
Ndryshe, Trickbot raportohet se ka infektuar më shumë se 1 milion pajisje kompjuterike në të gjithë botën që nga viti 2016 dhe që operatorët e saj kanë vepruar në emër të qeverive dhe organizatave kriminale, por identiteti i tyre i saktë mbetet i paqartë. /Telegrafi/