Microsoft do t’i lejojë klientët e tij të ndërtojnë agjentë autonom me Al nga muaji i ardhshëm, në shtytjen e tij më të fundit për të shfrytëzuar teknologjinë në lulëzim.
Bëhet e ditur se kompania po pozicionon agjentët autonom – programe që kanë nevojë për pak ndërhyrje njerëzore, ndryshe nga chatbotet – si “aplikacione për një botë të drejtuar nga AI” që mund të trajtojnë pyetjet e klientëve.
Kompani të tjera të mëdha teknologjike si Salesforce, kanë promovuar gjithashtu potencialin e agjentëve të tillë, mjete që disa analistë thonë se mund t’u ofrojnë kompanive një rrugë më të lehtë për të fituar para nga miliarda dollarët që po derdhen në AI, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Microsoft tha se klientët e tij mund të përdorin Copilot Studio – një aplikacion që kërkon pak njohuri të kodit kompjuterik – për të krijuar agjentë të tillë nga nëntori.
Kompania po prezanton gjithashtu 10 agjentë të gatshëm për përdorim që mund të ndihmojnë me detyrat rutinë duke filluar nga menaxhimi i zinxhirit të furnizimit deri te gjurmimi i shpenzimeve dhe komunikimi me klientët.
Në një demonstrim, McKinsey & Co, e cila kishte qasje të hershme te mjetet, krijoi një agjent që mund të menaxhojë kërkesat e klientëve duke kontrolluar historinë e ndërveprimit, duke identifikuar konsulentin për detyrën dhe duke planifikuar një takim pasues.
Ndryshe, gjigantët e teknologjisë po përballen me presion për të treguar rezultat nga investimet e tyre të mëdha në AI. /Telegrafi/