Google TV ka marrë vlerësime të dobëta nga tregu dhe analistët, dhe tanimë është vendosur që ky shërbim të tërhiqet nga tregu derisa i njëjti të përmirësohet sipas kërkesave të përdoruesve.
Duke i parë gjithë këto zbraztira në treg, Microsoft ka një rast të shkëlqyeshëm të hyjë në tregun e televizionit me internet, thuhet sipas Seattle Times.
Kjo gazetë ka bërë të ditur se Microsoft do të provojë të hyjë në këtë industri, me një version të resiverit Windows i cili është i dedikuar për tu lidhur me televizorët e ndryshëm, një produkt dhe shërbim ky i ngjashëm me atë të Google dhe Apple.
Planet për shërbimin i cili pritet të quhet Windows TV, janë paraqitur online prej muajit prill të vitit të kaluar, ndërsa më vonë ky synim i gjigantit të softuerëve është përsëritur edhe njëherë në konferencën e mbajtur nga kompania Intel.
Kutitë e vogla të cilat do ta mundësojnë këtë shërbim pritet të dalin në treg me një kosto prej 200 dollarësh, ndërsa shitja e tyre pritet të ndodh më vonë gjatë këtij viti. / Telegrafi /