Telegrafi

Mickoski vërtetohet si kandidati i vetëm për kryetar të OBRM-PDUKM-së, mohon ekzistimin e trysnisë ndaj anëtarëve (Video)

Edhe pse janë dorëzuar dy kandidatura, valide qenka vatëm ajo e Hristijan Mickoskit, thonë nga Qendra për komunikime e OBRM-PDUKM-së. Kandidati i dytë, emri i të cilit nuk bëhet publik, nuk i plotëson kushtet për kandidim në postin e kryetarit të OBRM-PDUKM-së. Në ditën e fundit për dorëzim të kandidaturave, sekretari i përgjithshëm i partisë, Hristijan Mickoski, edhe zyrtarisht shpalli kandidaturën e tij për kryetar të partisë.

Kandidatura e Mickoskit për këtë post ishte e pritur në publik sepse pas dorëheqjes së Nikolla Gruevskit, emri i sekretarit të përgjithshëm të partisë qarkullonte si kandidati më serioz për të zënë ulësen kryesore në selinë e OBRM-PDUKM-së, si dhe si personi që ka përkrahjen e plotë nga kryetari në largim, Nikolla Gruevski.

Për thëniet nga pjesë e anëtarësisë se ai ka qenë i favorizuar nga krerët e partisë, Mickoski tha se ato janë të pabaza dhe se secili që ka qenë i interesuar për të dorëzuar kandidaturë, e ka pasur atë mundësi dhe tani si parti ata janë të koncentruar për zhvillimin e kongresit të 6-të të partisë më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë./Telegrafi/