Telegrafi

Mickoski: Tranziti i gazit përmes Maqedonisë është përfitim për Evropën, punojmë për ndërtimin e interkonektorëve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot gjatë fjalimit të tij në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian, që u mbajt në Londër, foli për energjinë.

Ai tha se energjia është çështje e rëndësishme në botë në kushtet e agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Të flasësh për energjinë në politikë është një gjë, por të flasësh për realizimin e projekteve energjetike nga pikëpamja teknike është krejtësisht ndryshe. Më lejoni të theksoj se realizimi i projekteve energjetike kërkon kohë, nuk mund vetëm ta imagjinosh dhe menjëherë e njejta të realizohet. Duhet të bësh plan, të përfundosh detyrat e shtëpisë dhe pastaj vijon një dekadë deri në realizim”, theksoi Mickoski.

Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm në këtë drejtim, sepse të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës duhet të gjejnë një alternativë të gazit rus dhe keqpërdorimit të tij për ndikim politik.

“Duhet të konsolidojmë planet tona dhe të punojmë së bashku, sepse pa marrë parasysh se a jemi anëtarë të BE-së apo kandidatë për anëtarësim, ne duhet të punojmë së bashku, sepse të gjithë jemi të lidhur. Ne jemi një vend i vogël, nuk jemi një konsumator i madh i energjisë, por jemi pjesë e konsiderushme sepse të gjitha kontratat e tranzitit përmes Ukrainës skadojnë deri në fund të vitit. Zgjidhja e vetme do të mbetet Rrjedha e Jugut dhe Rrjedha Turke që do të thotë se gazi rus dhe Rusia do ta përdorin atë për ndikim politik. Prandaj duhet të gjejmë mënyrë se si të zëvendësojmë gazin rus me burime të tjera”, tha kryeministri Mickoski.

Ai theksoi se Maqedonia po punon në mënyrë të përshpejtuar në sferën e energjetikës, është në proces ndërtimi i interkonektorëve dhe synimi është që shteti të luajë një rol të rëndësishëm në tranzitin e ardhshëm të gazit nga Azerbajxhani, Katari, Amerika apo burime të tjera të gazit drejt Evropës.

“Ne mund të jemi një faktor i rëndësishëm i tranzitit. Ne po e përshpejtojmë ndërtimin e interkonjeksionit me Greqinë dhe së shpejti do të fillojmë ndërtimin e interkonjeksionit me Serbinë. Me këtë, vendet e Evropës Qendrore do të kenë qasje më të mirë deri te gazi i Azerbajxhanit, Katarit, Kazahstanit dhe gazit nga SHBA. Tranziti përmes vendit tim është benefit për Evropën. Për këtë qëllim kemi resor të ri në Qeveri, Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, e cila do të jetë përgjegjëse për këtë çështje, sepse dëshirojmë të jemi një lojtar i rëndësishëm në këtë fushë”, tha Mickoski.