Aksioni i fuqishëm i paralajmëruar në drejtësi përfshin reforma gjithëpërfshirëse, duhet të ketë një sistem që do të funksionojë, të ketë përgjegjësi për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk i plotësojnë standardet etike ose nuk përfshihen në praktika korruptuese, thotë kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën për “Faktor”.
“Nuk e kuptoj shqetësimin se këto reforma mund të perceptohen si presion ndaj gjyqësorit. Por, qasja jonë është e rrënjosur në respektimin e sundimit të ligjit dhe synojmë ta forcojmë pavarësinë e gjyqësorit, e jo ta kompromentojmë atë”, thekson Mickoski.
Korrupsioni, shton ai, është një çështje e vazhdueshme dhe një pengesë e rëndësishme për rritjen ekonomike, besimin e publikut dhe integrimin në BE.
“Kjo Qeveri është e përkushtuar që të merret drejtpërdrejt me korrupsionin, si me reforma sistematike ashtu edhe me veprime vendimtare. Një nga hapat e parë është forcimi dhe depolitizimi i institucioneve. Kjo përfshin sigurimin që të gjitha autoritetet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk ka më individë të cilët do ta përdorin fuqinë ose pozitën e tyre për të urdhëruar gjykime dhe për të konstruktuar raste”, thekson Mickoski.
Ai theksoi se rritja e transparencës përmes digjitalizimit të shërbimeve publike është pjesë kyçe e strategjisë së Qeverisë.
“Duke ulur diskrecionin burokratik në procese si prokurimet publike, do të arrijmë të minimizojmë mundësitë për korrupsion dhe sigurisht të harrojmë procedurat e lidhjes së kontratave në katër sy. Çrrënjosja e korrupsionit do të marrë kohë, por angazhimi ynë për të ndërtuar një sistem më të përgjegjshëm është i palëkundur. Kemi obligim që t’i përmbushim pritjet e qytetarëve tanë”, shton Mickoski në intervistë.