Telegrafi

Mickoski për Zaevin: Mos bëj trysni për Ligjin për Prokurori Publike

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski sot tha se nuk ka bisedime me LSDM-në për Ligjin për Prokurori Publike. Ai thotë se LSDM nëse mbledh shumicën mund ta miratojë ligjin në procedurë të shkurtuar, por sipas Mickoskit, një gjë e tillë do të ishte skandaloze.

“Sa më shumë humbin kohë në krijimin e shumicave artificiale, aq më shumë i dëshpërojnë qytetarët, për shkak se qytetari e ndjen se nuk është vota e tij, për shkak se më kot qytetari del të votojë kur dikush si Zaev mund të formojë me forcë shumicë kuvendare prej 80 deputetëve dhe ta kalojë ligjin”, thotë Mickoski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai shtoi se përsëri po ndodh tregti ashtu si me ndryshimet kushtetuese.

“Për mua është skandaloze. Jo vetëm që prishet integriteti i njerëzve por duhet të kuptojnë ata që e bëjnë se në afat të shkurt por shkatërrojnë jetë njerëzish. Ju bëj apel që t’i lënë njerëzit të qetë. Mos kryeni trysni”, tha Mickoski.

Kreu i OBRM-PDUKM-së thotë se ndoshta jemi i vetmi shtet ku prona e opozitës është e ngrirë dhe të gjithë ata që duan të ndihmojnë atë sulmohen me inspektime të ndryshme./Telegrafi/