Kryeministri i RMV-së Hristijan Mickoski, ka komentuar deklaratat e ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së Angela Aggeler dhe David Geer, të cilët dolën kundër shpërbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve.
Mickoski tha se “është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen në punët e brendshme të shtetit”, duke shtuar se ata duhet të ofrojnë zgjidhje për problemin me besimin në gjyqësor, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“E kam dëgjuar atë deklaratë. Disi është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen në punët e brendshme të shtetit. Por në rregull, edhe nëse është kështu. 600.000 qytetarë kanë votuar për këtë koalicion, shihet që kjo për ata nuk do të thotë asgjë. Për politikat dhe programin e kësaj qeverie. Të njëjtit thonë se është katastrofale gjendja me sundimin e së drejtës. Të njëjtit në raportet e tyre thonë se lulëzon krimi dhe korrupsioni. Besimi në Këshillin Gjyqësor dhe në Këshillin e Prokurorëve është në 2-3%, shihet se punët nuk funksionojnë”.
“Logjike është që njeriu racional dhe konstruktiv kur të sheh problem, të kërkojë zgjidhje. Ja ne ofruam zgjidhje, në rregull, nuk janë me rëndësi 600.000 vota për ambasadorët, nuk është me rëndësi programi i qeverisë, ja nëse ata dinë zgjidhje më të mirë, le të vijnë le të tregojnë, jam i gatshëm që të flasim”, tha mes tjerash Mickoski në lidhje me deklaratat e Aggelerit dhe Geerit.
Ndryshe, dje euroambasadori David Geer në konferencën për zbatimin e rekomandimeve të Misionit Vlerësues nga ana e Këshillit Gjyqësor, porositi qeverinë se shpërndarja, do të nënkuptonte përzierje e pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor. Ambasadori rekomandon që të mos ndërmerren hapa të tillë pasi që nuk janë dëshmuar si efektive./Telegrafi/