Telegrafi

Mickoski para eurodeputetëve: Problemi më i madh është korrupsioni i lartë

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, bashkërisht me nënkryetarin Aleksandar Nikolloski dhe sekretarin për marrëdhënie me jashtë, Timço Mucunski sot kishin takim me eurodeputetët e grupi politik ‘Ripërtëritje e Evropës’, Dacian Ciolos nga Rumania, kryesues me grupin në Kuvendin Evropian dhe Ilhan Quçuk nga Bullgaria, raportues për Maqedoninë e Veriut.

Në takim, sipas njoftimit të OBRM-PDUKM-së, u bisedua për ngjarjet politike në shtet, problemet dhe perspektivën evropiane, njofton Telegrafi Maqedoni.

Mickoski theksoi se problemi më i madh me të cilin ballafaqohet shteti është korrupsioni i lartë, duke theksuar aferat e pazgjidhura korruptuese dhe skandalet, në të cilat, siç ka thënën Mickoski, të përfshirë janë funksionarë të lartë të LSDM-së dhe kjo paraqet një argument plus për kundërshtarët e zgjerimit të BE-së.

“Kryetari i OBRM-PDUKM-së ju përmendi bashkëbiseduesve miratimin me dhunë të Ligjit për Prokurori Publike i cili duhet të shërbejë për amnisti të krimit të pushtetit gjatë këtyre tre viteve”, thonë nga kjo parti.

Bashkëbiseduesit pajtohen se Maqedonia nuk ka alternativë përveç anëtarësimit në Bashkimi Evropian ndërsa Mickoski ka potencuar se pas 12 prillit, Qeveria e re e OBRM-PDUKM-së do të merret me reforma në fushën e drejtësisë dhe do të ketë plan se si ta vendosë shtetin në rrugën e shpejtë drejt Bashkimit Evropian.

Bashkëbiseduesit u pajtuan se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë kyç për të ardhmen e shtetit./Telegrafi/