Telegrafi

Mickoski: OBRM-PDUKM është e gatshme ta vendosë Maqedoninë në rrugën e duhur të BE-së

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski mori pjesë në Samitin e Liderëve të Partisë Popullore të Evropës, në fokusin e së cilës ishte Ballkani Perëndimor. Në fjalimin e tij, Mickoski falënderoi kryeministrin kroat Andrej Plenkoviq për mbështetjen e tij për zgjerimin e BE-së, por edhe Presidentin e PPE-së, Donald Tusk, me mbështetjen e të cilit ky samit u organizua me fokus të rajonit tonë.

Mickoski theksoi se “Qeveria e re e OBRM-PDUKM-së është e gatshme ta vendosë Republikën e Maqedonisë në rrugën e duhur për anëtarësim në Bashkimin Evropian” duke u përqendruar në problemet kryesore të vendit që kanë nevojë për zgjidhje thelbësore.

“Në këtë kuptim, ne e kuptojmë se duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë. Kjo nënkupton ballafaqim me korrupsionin e nivelit të lartë, krijimin e një sistemi funksionues të sundimit të ligjit, përgjegjshmërinë dhe forcimin e sistemit tonë politik dhe gjyqësor, në mënyrë që të jetë transparent dhe të sigurojë një kornizë për sigurinë juridike. Kjo mund të arrihet dhe qeveria tjetër e udhëhequr nga OBRM-PDUKM do t’u përmbahet këtyre parimeve”, tha Mickoski./Telegrafi/