Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, pas përfundimit të takimit të liderëve tha se sot për herë të parë janë njoftuar për propozimin “Republika Ilindenska Makedonija”.
Ai përsëriti qëndrimin e partisë së tij se nuk do të mbështesin ndryshime kushtetuese dhe shtoi se procesi i negociatave është zhvilluar në mënyrë sekrete dhe akuzoi Zaevin dhe Dimitrovin për rrezikim të interesave shtetërore dhe kombëtare të vendit, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ajo që ishte spekulim para disa ditëve në opinion, ishte e vërtetë. Zaev dhe Dimitrov kanë pranuar zgjidhje për të cilën për herë të parë u njoftuam sot, në takimin i cili duhej të ishte me karakter informativ. OBRM-PDUKM-ja mbetet në qëndrimin se nuk do të mbështet ndryshimet kushtetuese. Gjithë procesi është zhvilluar në mënyrë sekrete, ndërsa janë rrezikuar interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë. Nuk do të mbështesim ndryshim të emrit kushtetues”, tha Mickoski./Telegrafi/