Kryetari i OBRM-PDUKM-së Hristijan Mickoski, sot ka realizuar takim me ministrin britanik për Evropë dhe Amerikë, Alan Duncan.
Nga OBRM-PDUKM thonë se në takim bashkëbiseduesit kanë diskutuar për çështjet politike në Maqedoni, integrimet euroatlantike dhe referendumin e ardhshëm për marrëveshjen me Greqinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Në takim është potencuar rëndësia e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë. Mickoski i ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE është interes strategjik dhe shtetëror”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare.
Mickoski në takim edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se partia e tij nuk mund ta pranojë marrëveshjen me Greqinë, pasi nuk pajtohen me përmbajtjen e saj.
“Kryetari Mickoski ka përsëritur qëndrimin se qytetarët e Maqedonisë kanë pjekuri të mjaftueshme politike dhe janë të ndërgjegjshëm që vetë të sjellin vendim se si do të veprojnë në referendumin e 30 shtatorit”, thonë nga OBRM-PDUKM./Telegrafi/