Telegrafi

Mickoski: Në Bruksel do të përcjell zhgënjimin e qytetarëve tanë për rrugën e vendit drejt BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot njoftoi se gjatë qëndrimit të tij në Bruksel do të përcjell zhgënjimin e qytetarëve maqedonas dhe do të prezantojë të ashtuquajturin propozimin francez plus.

“Unë nuk po udhëtoj atje për të paraqitur planin, por Plani i Rritjes është në agjendë. Do të ha një drekë pune me Presidentin e vjetër dhe të ri të KE-së, von der Leyen. Nëse është fjala për procesin e integrimeve evropiane, unë jam ai që duhet të mbroj interesat tona kombëtare maqedonase.

Tani kemi më shumë argumente. Ne duam të përcjellim zhgënjimin që ndjejnë qytetarët maqedonas atje, zhgënjimi është i madh. Për më shumë se një dekadë e gjysmë nuk kemi mundur t’i fillojmë negociatat me BE-në sepse ka pengesa të imponuara artificialisht që asnjë vend nuk i ka pasur, siç i kemi ne”, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke paralajmëruar vizitën e tij në Bruksel dhe në prezantimin e propozimit francez plus për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar.

Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij se “mjaft më disfata dhe politika dhe diplomacia e shtyllës së lakuar kurrizore dhe puthje të këpucëve”.

“Ne duam të flasim për vlerat, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të dimë se siç na është premtuar në vitin 2018 se maksimumi për 3-4-5 vjet do ta përfundojmë atë rrugë dhe do të jemi pjesë e BE-së. Të gjitha të tjerat janë histori dhe kurthe në të cilat nuk kam ndërmend të biem”, tha Mickoski./Telegrafi/