Kryeministri Hristian Mickoski, sot ka folur në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Ai tha se si “shtet nuk mund të hyjmë në një proces naiv ku do të bëjmë vetëm lëshime pa pasur garanci të qartë se si shtet do të jemi pjesë e familjes evropiane”.
Ai tha se meqë askush nuk mund të garantojë asgjë, nuk do të jetë aq optimistë sa do të donte të ishte.
“Prandaj këto dy procese drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE dhe përfundimin e detyrave të shtëpisë do t’i zhvillojmë paralelisht, por jemi gati për bisedime. Nga ajo që mund të dëgjoj dhe nga ato që mund të dëshmoj nga ato biseda është se tek disa ka interesim për lëvizje të rajonit drejt BE-së. Këtu nuk ka asnjë dilemë dhe se një pjesë e atij rajoni jemi edhe ne si shtet. Qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Të gjitha ato nisma rajonale si procesi i Berlinit, CEFTA etj. ne i mbështesim sepse brenda tyre vlerësojmë se mund t’i artikulojmë më lehtë pikëpamjet tona dhe duhet të jemi të saktë në këtë, por qëllimi ynë kryesor strategjik është anëtarësimi i plotë në BE, diçka që e kemi merituar shumë kohë më parë”.
“Do t’ju rikujtoj, më shumë se dy dekada e gjysmë pasi nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, gati dy dekada pasi jemi kandidatë, më shumë se 15 vjet pasi morëm raport pozitiv për fillimin e negociatave, por për arsye të njohura tashmë për qytetarët e Maqedonisë nuk jemi në gjendje ta çojmë përpara këtë proces. Ne si Qeveri nuk mund të hyjmë në një proces naiv ku vetëm do të bëjmë lëshime pa pasur garanci të qartë se si shtet do të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Mickoski.
Ai ka thënë se ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar janë zgjidhje e mundshme nëse ka garanci për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
“Një nga zgjidhjet e mundshme është ajo që përmendët, por edhe kjo kushtëzohet me kushtin që të kemi garanci të qartë të anëtarësimit të plotfuqishëm në kuadër të BE-së dhe kjo të jetë në kuadër të premtimeve që ata kanë bërë në vitin 2018 se do të zgjasë maksimalisht katër vjet deri në pesë vjet, dhe ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka që ato negociata të realizohen. Por nga ajo që shoh për momentin dhe që dëgjojmë është se askush nuk mund të na garantojë asgjë”, ka thënë ai./Telegrafi/