Telegrafi

Mickoski: Me këtë kornizë siç është propozuar nuk mbrohen interesat, por bullgarizimi i shoqërisë bëhet kusht për anëtarësim në BE

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, për “Deutsche Welle”, ka përsëritur vërejtjet që kjo parti i ka lidhur me propozimin, i cili përmban kornizën negociuese për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe dokumentet që janë pjesë e asaj pakoje.

“Propozimin për grupe punuese e kemi bërë që vërejtjet tona t’i përkthejmë në punë konkrete sa i përket dokumenteve dhe kornizës së negociatave, që është objekt diskutimi. Vërejtjet tona i referohen në radhë të parë heqjes së të gjitha pjesëve të diskutueshme që kanë shkaktuar polemika në lidhje me propozimin ekzistues, i cili shkakton dëme të hapura ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare. Ndryshimet e tekstit kanë të bëjnë me heqjen e pjesës për amendamentet kushtetuese që do ta obligonin shtetin, si dhe refuzimin e mundësisë së ndryshimit të teksteve shkollore, fakteve historike dhe rreziqeve që ekzistojnë për mohimin e gjuhës maqedonase”, tha Mickoski, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mbledhja e parë e grupeve të punës është caktuar për sot në orën 13:00. Hristijan Mickoski pret që arsyeja të mbizotërojë sepse kjo është një shans për të gjitha palët që të qëndrojnë prapa një qëndrimi.

“Me këtë kornizë siç është propozuar nuk mbrohen interesat, por bullgarizimi i shoqërisë bëhet kusht për hyrjen në BE. Këtu ka një shans për të ardhur në një qëndrim të përbashkët për këtë çështje vendimtare. Edhe pse duke parë hapat e deritanishëm nuk jam optimist se arsyeja do të mbizotërojë, por mbetet të shihet”, tha kryetari i OBRM-PDUKM-së.

Ai theksoi se OBRM-PDUKM mbetet me popullin që bashkërisht të shprehin pakënaqësinë dhe revoltën e tyre përmes protestave që disa ditë po mbahen në Shkup dhe tha se populli nuk do të bjerë në provokimet e instalimeve qeveritare./Telegrafi/