Telegrafi

Mickoski: Jam optimist se do të arrijmë marrëveshje (Video)

Kryetari i partisë opozitare maqedonase Hristijan Mickoski, pas përfundimit të takimit të sotëm të liderëve, tha se për disa tema është arritur përafrim i qëndrimeve mes pozitës dhe opozitës, ndërsa për disa të tjera ende jo.

Ai u shpreh optimist se do të ketë marrëveshje mes partive në pushtet dhe atyre opozitare, duke shtuar se duhet të respektohen edhe ligjet dhe Kushtetuta, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Kemi folur për tema të njohura për opinionin. Për disa tema kemi përafrim të qëndrimeve, për disa jo. Do të shohim si do të zhvillohen gjërat dhe më pas do të njoftojnë për detajet. Nëse vërtetë jemi për vlera evropiane, atëherë duhet edhe të sillemi ashtu. Kjo do të thotë respektim të ligjeve dhe Kushtetutës. Jam optimist për temat për të cilat kemi biseduar”, tha mes tjerash Mickoski.

Ai në fund gjithashtu shtoi se në opinion janë përhapur tema me të cilat synohet manipulimi i opinionit dhe degradimi i partisë së tij./Telegrafi/