Telegrafi

Mickoski: Fitorja e OBRM-PDUKM-së në zgjedhjet lokale, hap rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, në një intervisë për portalin “Pres24” ka thënë se zgjedhjet lokale në tetor kanë rëndësi të madhe, pasi sipas tij, këto zgjedhje janë testi i parë i vullnetit të qytetarëve.

Ai shtoi se fitorja e OBRM-PDUKM-së në këto zgjedhje, do të hap rrugën për zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Mickoski nuk zbuloi se sa nga kryetarët aktual të komunave do ta kenë përsëri mundësinë të garojnë në zgjedhje, ndërsa shtoi se partia punon në përzgjedhjen e kuadrove adekuat.

“Sa i përket kandidatëve për kryetarë të komunave do të ketë fytyra të reja, me besueshmëri dhe njohës të mjedisit ku jetojnë. OBRM-PDUKM-ja ka treguar se ka fuqi për ndryshime kadrovike dhe për t’u ofruar mundësi shumë njerëzve të rinj”, tha Mickovski.

Mickovski, i cili fitoi besimin për të qenë sekretari i ri i përgjithshëm i partisë, mendon se Gruevski është fuqia motorike e OBRM-PDUKM-së dhe nuk sheh arsye për ndryshimin e tij./Telegrafi/