Mick Schumacher është kampioni më i ri i Evropës në kampionatin e Formula 3 dhe tashmë kanë filluar të bëhen krahasimet me babanë e tij, Michael Schumacher – shtatëherë kampion bote në Formula 1.
Madje ka nga ata që e shohin Schumacher Jr. si pasuesin e legjendës së këtij sporti te skuadra e Ferrarit.
Por, mesa duket 19-vjeçari nuk është aspak i ndikuar nga këto krahasime që i bëhen me babanë e tij dhe këtë ai e theksoi gjatë në një intervistë për televizionin gjerman RTL.
Ky televizion realizoi një film dokumentar me titullin “Schumacher”, ku flitet edhe për djalin e Ralf Schumacher, David Schumacher, si edhe për Maximilian Gunther, të vetmin pilot në Formula 2 që do të garojë në Formula E.
“Nuk ka asnjë problem me krahasimet që më bëjnë me babanë tim”, ka theksuar Mick, citon Top Channel.
“Ai është më i miri dhe për këtë arsye është edhe modeli im. Edhe kampionë të tjerë të botës krahasohen me babanë tim”, ka shtuar ai më tej.
Në vitin e ardhshëm pritet që Mick Schumacher të marrë pjesë në kampionatin e Formula 2 me skuadrën e Prema.