Michelle Rodriguez asnjëherë nuk ka pasur frikë të shprehë mendimin e saj sa i përket serisë së hit-filmave “The Fast and the Furious”.
Aktorja, e cila luan rolin e Letty Ortiz për më shumë se një dekadë, në muajin qershor pas lansimit të “The Fate of the Furious”, i kishte kritikuar filmat për mungesë të përfaqësimit femëror dhe kishte kërcënuar se do të tërhiqej.
“Shpresoj që të vendosin të shfaqin pak dashuri për femrën në vazhdimin e radhës. Ose ndoshta do të më duhet t’i them lamtumirë një sage që e dua shumë”, kishte shkruar asokohe në Instagram.
Ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin dhe në një prononcim për TMZ ka thënë se akoma e ka në plan të largohet në rast se nuk ka ndonjë përparim.
“Rrugëtimi im është për fuqizimin e femrës dhe nëse ndjej që kam ngecur në atë fushë në punën që e bëj për të jetuar, atëherë do të më duhet të largohem. Evoluo ose vdis, zemër”, ka thënë aktorja.
39-vjeçarja ka theksuar më tej se dëshiron t’i dëgjojë producentët duke biseduar për një ndryshim.
Jordana Brewster, Gal Gadot, Charlize Theron e Nathalie Emmanuel, janë disa prej aktoreve që kanë qenë pjesë e filmave “The Fast and the Furious”, mirëpo të rralla kanë qenë ndërveprimet e tyre në mungesë të meshkujve që shfaqen si më të rëndësishmit në serinë e këtyre filmave.
Letty Ortiz (Michelle Rodriguez) ka qenë pjesë në filmat “The Fast and the Furious” të viteve 2001, 2009, 2013, 2015 dhe 2017. /Telegrafi/