Site icon Telegrafi

Michael Jordan do të dhurojë 100 milionë dollarë për luftën ndaj racizmit

Michael Jordan (Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

Legjenda e basketbollit, Michael Jordan, ka bërë të ditur se do të dhurojë 100 milionë dollarë gjatë 10 viteve të ardhshme për organizatat që luftojnë për barazi racore.

Këtë vendim, 57-vjeçari e ka marrë ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillohen protesta pas vrasjes brutale të George Floyd.

Ish-basketbollisti ka njoftuar të premten se ai dhe Jordan Brand (që është një divizion i Nike), në 10 vitet e ardhshme do t’i dhurojnë këto fonde me qëllimin që të sigurojnë barazinë racore, drejtësinë shoqërore dhe qasje më të madhe në edukim.

(Foto: Kevork Djansezian/Getty Images/Guliver)

Jordan ka thënë se derisa shteti dhe institucionet po dështojnë që ta eliminojnë racizmin në SHBA, ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të angazhohen që t’i mbrojnë dhe t’ua përmirësojnë jetën njerëzve me ngjyrë.

Më tej, legjenda ka thënë se edhe brendi i tij përfaqëson komunitetin afro-amerikan: ‘Jordan Brand jemi ne, komuniteti me ngjyrë. Jordan Brand është më shumë se një njeri. Gjithmonë ka qenë një familje”. /Telegrafi/

Exit mobile version