Telegrafi

Michael Essien dhe Carlton Cole rrezikojnë burgun në Indonezi

Ish-lojtarët e Chelseat, Michael Essien dhe Carlton Cole, mund të dënohen me burg në Indonezi, pasi i kanë thyer ligjet e imigracionit.

Dy futbollistët janë ndër yjet kryesore të futbollit në atë vend dhe përcillen nga qindra fansa edhe në stërvitje.

Mirëpo, qëndrimi i tyre në Indonezi tash është vënë në rrezik, pasi që Persib Bandung i ka marrë lojtarët pa plotësuar dokumentacionin e nevojshëm për imigracion.

Në një deklaratë për shtyp, shefja e imigracionit, Maulia Purnamawati, ka bërë të ditur se klubi Persib Bandung nuk ka aplikuar për qëndrim të përhershëm të lojtarëve, por për qëndrim të përkohshëm.

Për të luajtur në Indonezi, ata është dashur të marrin leje për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre atje. Sipas ligjeve në fuqi, shkelja e ligjit për migrim dënohet deri në pesë vjet burg.

Megjithatë, për shkak të famës së futbollistëve, vështirë se mund të ndodhë dënimi me burg dhe pritet të arrihet një marrëveshje ndërmjet klubit dhe autoriteteve të imigracionet. /Telegrafi/