Site icon Telegrafi

Micevski: OBRM-PDUKM do të mbetet stoik ndaj presioneve dhe do të kërkojë kushte të mira për kontestin me Bullgarinë

Nuk lëshuam pe edhe pse kishim presione dhe nuk i votuam ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar, tha koordinatori i grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski. Ai shprehet se mbetën stoik ndaj qëndrimeve të tyre deri në fund të këtij mandati. Nga partia opozitare edhe më tej janë të bindur se mund të negociojnë për kushte më të mira për kontestin me Bullgarinë. Megjithatë, ende nuk ka sinjale nga OBRM-PDUKM se do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese në përbërjen e re parlamentare pas zgjedhjeve në maj. Siç publikuam para disa ditësh, ka informacione se faktori ndërkombëtar do të insistojë për “non paper” për partitë shqiptare se nuk do të bëjnë koalicione me një parti nga blloku maqedonas që nuk do të tregojë publikisht se do t’i zbatojë ndryshimet kushtetuese. Sipas qëndrimeve të deklaruara, kjo ka të bëjë me OBRM-PDUKM. Micevski me përgjigje:

“Shkëlqyeshëm, edhe ne do të kemi kërkesë konkrete për koalicionet e ardhshme, partnerët e ardhshëm që do të qëndrojnë prapa perspektivës europiane të Maqedonisë, t’i respektojnë kriteret themelore të Kopenhagës, d.m.th. për sundimin e së drejtës, korrupsionin, luftën për të drejtat dhe liritë e njeriut. Kushdo që do të angazhohet për këto përcaktimet e programit që do ta ofrojë OBRM-PDUKM si program qeveritar në periudhën e ardhshme, është i mirëseardhur që të vijë dhe ta përkrahë platformën e OBRM-PDUKM-së”, tha Nikolla micevski, koordinator parlamentar i OBRM-PDUKM-së.

Micevski pohon se drejtimi i OBRM-PDUKM-së është i njëjtë me drejtimin e pushtetit aktual, pra, anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Siç tha ai, BE dhe NATO janë postulatet e partisë së tyre, megjithatë rruga deri atje është e ndryshme.

“Po, Europa është drejtimi ynë kah lëvizim, po Europa është synimi ynë, BE dhe NATO janë pjesë e postulateve të OBRM-PDUKM-së, megjithatë rruga jonë dallon nga rruga që e parashikuan Bujar Osmani, Kovaçevski…”, tha Nikolla micevski, koordinator parlamentar i OBRM-PDUKM-së.

Micevski u shpreh i bindur se në zgjedhjet në maj ata do të dalin fitues dhe do ta formojnë qeverinë e re, duke shtuar se po pret fitore të dyfishtë, përkatësisht se kandidati i tyre për president do të fitojë në zgjedhjet presidenciale.

Exit mobile version