Site icon Telegrafi

Milani fiton trilerin e pesë golave ndaj Lazios, vendos goli i sekondave të fundit nga Theo Hernandez

Milani ka arritur të mposht Lazion me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 14-të në Serie A.

Milan dhe Lazio zhvilluan një ndeshje shumë të bukur, me shumë raste dhe gola.

Fillimi i ndeshjes i takoi Milanit, ndërsa pjesa tjetër Lazios, që ishte më kërkuese dhe kishte raste më shumë, por në fund ishin kuqezinjtë që fituan.

Milani gjeti golin që në minutën e 10-të, kur Hakan Calhanoglu harko nga këndi dhe gjeti Ante Rebicin që shënoi për 1-0.

 

Shtatë minuta më vonë Patrick Gabarron luan me dorë në zonë dhe gjyqtari akordon penallti për Milanin.

Nga pika e bardhë ishte i saktë Hakan Calhanoglu për 2-0.

 

Por nuk vonoi shumë dhe Lazio u kthye në lojë duke fituar penallti.

Nga pika e bardhë gjuajti Ciro Immobile, por Gianluigi Donnaruma mbrojti, ndërsa nga topi i thyer shënoi Luis Alberto (2-1).

 

Pjesa e parë nuk prodhoi më gola dhe u mbyll në të mirë të kuqezinjëve.

Në minutën e 59-të të takimit, Lazio barazoi me Ciro Immobilen, i cili shënoi një gol të bukur për 2-2.

 

Vedat Muriqi kishte rast të mirë në minutën e 73-të, por goditja e tij me kokë u mbrojt nga Donnaruma.

Dhjetë minutat e fundit Milani ishte më i rrezikshëm, duke tentuar dy herë me Ante Rebic.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej në barazim, në skenë doli Theo Hernandez, që shënoi për 3-2.

 

Milani mbetet lider pas kësaj fitoreje me 34 pikë, një më shumë se Interi. /Telegrafi/

Exit mobile version