Telegrafi

Miami në finalen e Konferencës së Lindjes, Lakers në avantazh ndaj Rockets

(Foto: Mike Ehrmann/Getty Images/Guliver)

Këtë herë Milwaukee Bucks pa Giannis Antetokounmpo nuk mund të bënte asgjë. Miami Heat tregoi një provë krenarie në ndeshjen e pestë ‘play-off’ mes tyre dhe me meritë arriti të triumfonte duke u kualifikuar në finalen e Konferencës së Lindjes, aty ku do të gjejë përballë një mes Boston Celtics dhe Toronto Raptors me skuadrën më të titulluar të NBA që për momentin kryeson 3-2 me ndeshje në duelin mes tyre.

Rezultati i sfidës së pestë mes Bucks dhe Heats të zhvilluar në HP Field House të Orlandos ishte 94-103, transmeton SuperSport.

Pa Antetokounmpon, i cili e ndoqi të gjithë ndeshjen nga stoli, Miami e kishte më të thjeshtë të fitonte sfidën, një takim i fituar falë paraqitjes së mirë të dyshesh Goran Dragic-Jimmy Butler. Nga 17 pikë shënuan secili, ndërkohë që Butler e ndihmoi skuadrën nga Florida edhe me 10 kërcime e gjashtë asistime.

Jimmy Butler dhe Wesley Matthews gjatë duelit në Florida (Foto: Mike Ehrmann/Getty Images/Guliver)

Ndërkohë, Los Angeles Lakers mori kryesimin 2-1 me ndeshje që arriti të mposhte në sfidën e tretë Houston Rockets me rezultatin 112-102.

Meritat shkojnë të gjitha për dyshen fantastike Lebron James-Anthony Davis të cilët së bashku realizuan në total 61 pikë. Me 36 pikë shtatë kërcime dhe pesë asistime, mbreti James ishte basketbollisti më i mirë mbi parket për Lakers, ndërsa Davis spikati me 25 pikë dhe 15 kërcime. Nuk mundi të evitonte humbjen skuadra teksase pavarësisht se dyshja Harden-Westbrook koleksionoi në total 63 pikë