Telegrafi

Miami Heat e Phoenix Suns marrin fitoret e dyta

Janë zhvilluar ndeshjet e dyta në gjysmëfinalet e dy Konferencave, Lindjes e Perëndimit në elitën e basketbollit amerikan NBA.

Miami Heat ka triumfuar edhe në ndeshjen e dytë ndaj Philadelphia 76ers, duke bërë një hap të madh drejt finales së Konferencës pasi tani ka epërsinë e dy ndeshjeve (2-0).

Heat triumfuan në shtëpinë e tyre me 16 pikë diferencë 119:103.

Qendra Bam Adebayo me 23 pikë e nëntë kërcime ishte më efikasi në këtë takim, derisa Jimmy Butler kontribuoi me 22 pikë e 12 asistime.

Fitoren e dytë e ka marrë edhe Phoenix Suns që ka mposhtur Dallas Mavericks 129:109 për të ngritur në 2-0 serinë e fitoreve.

Devin Booker ka qenë fantastik në këtë takim me 30 pikë, derisa Chris Paul shtoi 28 të tjera në këtë fitore. /Telegrafi/