Telegrafi

MI ndanë 400 mijë euro për projektet infrastrukturore lokale në Prizren

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të martën priti në një takim pune kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, më të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e projekteve të reja infrastrukturore lokale në këtë komunë. Komuna e Prizrenit me anë të kësaj marrëveshje me MI-në, përfiton 400 euro për vitin 2019.

Lekaj dhe Haskuka nënshkruan edhe aneksin e memorandumit paraprak për financim të projekteve që veçse janë duke u zhvilluar në Prizren.

“MI merr përsipër financimin e asfaltimit të rrugës Lubizhdë-Skrobizhdë, ku për këtë vit janë ndarë mjetet prej 50 mijë euro dhe asfaltimin e rrugës Prizren – Velezhë, në vlerë prej 50 mijë euro”, thuhet në njoftimin e ministrisë, përcjell Telegrafi.

Ministri Lekaj kërkoi nga kryetari Haskuka që realizimi i projekteve të financuara nga dikasteri që ai drejton, të bëhet me cilësi dhe sipas afateve kohore të parapara dhe premtoi kryetarit se mbështetja nga niveli qendror i qeverisjes.

I pari i infrastrukturës e njoftoi kryetarin e Prizrenit se për këto projekte janë të parapara edhe mjetet buxhetore për vitet që pasojnë deri në realizimin final të tyre. Ndërkaq e informoi të parin e kësaj komune se shumë shpejt do të fillojnë investimet edhe në hyrjen e Prizrenit nga ana e Gjakovës, projekt ky që financohet nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryetari i Prizrenit u zotua se projektet e financuara nga MI-ja do të realizohen në afatet e parapara. /Telegrafi/