Site icon Telegrafi

​MFPT kërkon nga punëdhënësit punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njoftoi të enjten se bazuar në Ligjin për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara punëdhënësit obligohen që për çdo 50 të punësuar, të punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara.

Ndërsa, punëdhënësit të cilët nuk e përmbushin këtë obligim ligjor obligohen që të paguajnë kontribute mujore në lartësi të shumës së pagës minimale.

“Punëdhënësit nga sektori publik, privat dhe organizatat jo-qeveritare të cilët nuk e përmbushin obligimin ligjor për punësimin e personave me aftësi të kufizuara obligohen që për nxitjen e punësimit të kësaj kategorie, të paguajnë kontribute mujore në lartësi të shumës së pagës minimale”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar për të krijuar qasje të barabartë në tregun e punës për të gjitha kategoritë shoqërore. /Telegrafi/

Exit mobile version