Përmes Millennium Foundation Kosovo (MFK), Agjensioni Federal Amerikan MCC ka njoftuar publikun për një bashkëpunim tejet atraktiv për të gjitha adhurueset e shkencës dhe teknologjisë.
Sipas një njoftimi, Kosova është shpallur vend organizator i Kampit Veror të Shkencës dhe Teknologjisë për vajzat e reja të quajtur WISCI Girls STEAM Camp.
Ky kamp, siç thuhet tutje, organizohet me ndihmën e gjigantit amerikan INTEL, ndërsa pjesëmarrëset në kamp do te jenë vajza nga mosha 15 deri në moshën 18 vjeçare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova, Serbia, Maqedonia dhe Gjeorgjia.
“Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) si bashkëorganizator, e konsideron këtë aktivitet si një iniciativë tejet të vlefshme për integrimin e vajzave të reja në diskurse edukative për teknologjinë dhe shkencën”, thuhet në njoftim.
Procesi i aplikimit për pjesëmarrje në këtë kamp është tanimë i hapur, kurse kampi do të mbahet në datat 18-31 Gusht 2019. /Telegrafi/