Site icon Telegrafi

MF-Maqedoni: BB-ja thekson se masat e qeverisë kontribuuan në rikthimin e inflacionit njëshifror

Rritja ekonomike, në periudhë afatmesme, do të përshpejtohet me dinamikë mesatare, si rezultat i rritjes së investimeve publike dhe rimëkëmbjes së konsumit privat, ndërkohë që vazhdimi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian mund të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të reformave dhe rritjen e potencialit të rritjes ekonomike, kjo u konstatua në raportin e Bankës Botërore për rajonin e Ballkanit Perëndimor në pritjet për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Rritja e shpenzimeve kapitale dhe realizimi i tyre përmes buxhetimit afatmesëm, së bashku me konsolidimin fiskal dhe qëndrueshmërinë fiskale, si pjesë e reformave në procesin buxhetor, gjithashtu do të jenë kyçe në përshpejtimin e rritjes në periudhe afatmesme. Banka Botërore pret që inflacioni të vazhdojë trendin e uljes gjatë këtij vitit dhe gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa niveli më i ulët historik, prej rreth 2%, do të arrihet në vitin 2025. Rritja e pagave reale do të vazhdojë me rritjet e reja në sektorin publik, si dhe me marrëveshjen e re kolektive në vitin e ardhshëm për pagat e administratës.

Në periudhë afatshkurtër, përkatësisht këtë vit, projeksioni i Bankës Botërore për vendin tonë, si edhe për BeH-në, Kosovën dhe Serbinë është më i ulët, ku pritet rritje prej 1.8%. Ulja e pritshmërive të rritjes është lidhur me uljen e projeksioneve të rritjes në Bashkimin Evropian dhe recesionin në Gjermani, duke pasur parasysh se BE-ja dhe Gjermanija janë partnerët tanë më të mëdhenj tregtar, ndërsa ekonomia jonë është e vogël dhe e hapur me tregti të jashtme në nivel prej 160% të PBB-së. Në këtë raport theksohet se pritet rritje e shpenzimeve kapitale për 2.5 pikë përqindje të PBB-së gjatë vitit 2023, si rezultat i projekteve të mëdha infrastrukturore, kryesisht autostradat e Korridoreve 8 dhe 10, për të cilat theksohet se tashmë kontribuojnë në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin e ndërtimtarisë. Duke përfshirë edhe gjysmëvjetorin e parë të vitit, deficiti buxhetor është rreth 2.6%, ndërkohë që rritja e pagave në sektorin publik ka krijuar presione fiskale. Megjithatë, me tatimin e solidaritetit dhe përshtatjen e TVSH-së preferenciale për produkte të caktuara, si dhe me ndërprerjen e lirimeve tatimore për disa kompani nga ZZHTI-ja, do të krijohet hapësirë fiskale shtesë për masat antikrizë. Në raport thuhet se inflacioni u rikthye në norma njëshifrore, ku për këtë gjë ndihmuan masat qeveritare për fiksimin e çmimeve, edhe pse ende ekziston risku për presione të reja.

Paga reale, me efektet e përllogaritura të inflacionit rritet nga prilli i vitit 2023. Rritja e pagave është shënuar në të gjithë sektorët e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit, si rezultat i rritjes së pagës minimale. Rritja e pagave për të punësuarit në ndërtimtari, administratë si dhe në arsim për këtë periudhë është mbi mesataren. Rritja e pagave do të vazhdojë edhe më tej me Marrëveshjen e re kolektive të cilën e nënshkroi Qeveria për sektorin publik, në gusht të vitit 2023, e cila përfshin rritjen e pagave prej 10 për qind nga shtatori i vitit 2023, revizionin e metodologjisë së përcaktimit të pagave nga viti 2024 që lidh pagën bazë me pagën nacionale bruto si dhe regresin e pushimit vjetor në vlerë prej 30 për qind të pagës mesatare neto. Paga minimale është rritur dy herë më shpejt në Ballkanin Perëndimor krahasuar me BE-në. Raporti i pagës minimale dhe i pagës mesatare është mbi 50 për qind në tre vendet e rajonit, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Malin e Zi, siç informon Raporti i Bankës Botërore.

Gjithashtu, BB-ja vëren se papunësia te të rinjtë do të vazhdojë të ulet, ndërsa në periudhën trevjeçare do të ulet për rreth 9%. Shkalla e varfërisë do të vazhdojë të ulet, ku në periudhën afatmesme do të ulet në mënyrë kumulative për 20%. PBB-ja për kokë banori në periudhë afatmesme do të rritet për 7%, ndërsa potenciali i ritjes ekonomike të Maqedonisë së Veriut do të rritet me përafrimin e vendit tonë me BE-në, përmes rrugës reformuese të reformave strukturore dhe përforcimin e ekonomisë.

Exit mobile version